BotalajmeShendet

Vaksina Pfizer, efektive në testimin e parë me përmasa të gjëra në botë

Një testim i vaksinës COVID-19 të kompanisë Pfizer tek më shumë se gjysmë milioni njerëz konfirmon se ajo është shumë efektive në parandalimin e rasteve serioze ose vdekjes, edhe vetëm pas një doze.

Rezultatet e botuara të mërkurën, nga një fushatë vaksinimi masive në Izrael, japin siguri të fortë se përfitimet e vërejtura në testime në përmasa më të vogla dhe të kufizuara, u përsëritën kur vaksina u përdor shumë më gjerësisht në një popullatë në grupmosha dhe kushte të ndryshme shëndetësore.

Vaksina ishte 92% efektive në parandalimin e sëmundjes së rëndë pas dy dozave dhe 62% pas një doze. Efektshmëria e saj e vlerësuar për parandalimin e vdekjes ishte 72% dy ose tre javë pas dozës së parë, një nivel që mund të përmirësohet ndërsa konsolidohet imuniteti me kalimin e kohës.

Ajo rezultoi po aq efektive tek njerëzit mbi 70 vjeç sa edhe tek të rinjtë.

“Kjo është jashtëzakonisht inkurajuese, më mirë se sa kisha parashikuar,” tha Dr. Gregory Poland i klinikës Mayo.

Dr. Buddy Creech i Universitetit Vanderbilt pranoi: “Edhe pas një doze mund të shohim një efektshmëri shumë të lartë në parandalimin e vdekjes,” tha ai.

Asnjë prej mjekëve nuk kishte ndonjë rol në studimin e Izraelit, por të dy janë të përfshirë në studime të tjera të vaksinave të koronavirusit.

Dy mjekët gjithashtu thanë se rezultatet e reja mund të jenë një shtysë për të konsideruar shtyrjen e dozes së dytë, ashtu siç po provon Britania, ose për të dhënë një dozë në vend të dy për njerëzit që e kanë kaluar tashmë COVID-19, siç po bën Franca, për t’i përdorur më me kursim rezervat e kufizuara.

“Unë do të preferoja më mirë që 100 milionë njerëz të merrnin një dozë sesa 50 milionë njerëz të merrnin dy doza,” tha dr. Creech. “Jam shumë i inkurajuar nga të dhënat për marrjen e një doze” në rezultatet nga Izraeli, të cilat u botuan nga Revista Mjekësore e New England.

Vaksina, e prodhuar nga kompania Pfizer në partneritet me atë gjermane BioNTech, jepet me dy faza, në një kohëzgjatje tre javore, në shumicën e vendeve.

Studimi u drejtua nga studiues të Institutit Kërkimor Clalit dhe Universiteti Ben-Gurion i Negevit në Izrael, me Universitetin e Harvardit në SHBA. Ai nuk përfshinte të dhëna për sigurinë e vaksinës, vetëm për efektivitetin, por në testimet e mëparshme nuk u shfaqën probleme të papritura.

Studiuesit krahasuan rezultatet për gati 600,000 vetë nga mosha 16 vjeç e lart pjesëmarrës në organizatën më të madhe të kujdesit shëndetësor në Izrael, të cilëve iu dha vaksina në dhjetor ose janar me një numër të barabartë njerëzish nga mosha, seksi dhe shëndeti që nuk i morën vaksinat. Askush nga pjesëmarrësit nuk ishte testuar më parë pozitiv për virusin.

Vaksina u vlerësua të jetë 57% efektive në parandalimin e ndonjë simptome të COVID-19 dy ose tre javë pas dozës së parë dhe 94% në javë ose më shumë pas dozës së dytë.

Efektiviteti ishte 74% pas një doze dhe 87% pas dy dozash për parandalimin e nevojës së shtrimit në spital, dhe respektivisht 46% dhe 92% për parandalimin e infeksionit të konfirmuar. Reduktimi i infeksioneve jep shpresë se vaksina mund të frenojë përhapjen e virusit, por ky lloj studimi nuk mund ta përcaktojë një gjë të tillë.

Pati 41 vdekje të lidhura me COVID-19, 32 prej tyre tek njerëz që nuk kishin marrë vaksinë.

Në përgjithësi, shifrat përputhen me efektivitetin 95% pas dy dozave që u pa në testimin e kufizuar që ishte baza mbi të cilën rregullatorët amerikanë autorizuan përdorimin emergjent të vaksinës, tha dr. Poland. Një nga pikëpyetjet e rëndësishme ka qenë se efektive do të ishte një doze e vetme, “dhe ky studim jep disa përgjigje.

“Ndoshta gjëja e duhur për të mbrojtur numrin më të madh të njerëzve. është që t’u jepej të gjithëve një dozë sa më shpejt që të mundemi. Unë mendoj se kjo është një strategji shumë e pranueshme për t’u konsideruar”, tha dr. Poland.

Izraeli deri tani ka vaksinuar gati gjysmën e popullsisë së tij. Një variant më i ri i virusit që u identifikua për herë të parë në Britani u bë lloji mbizotërues në Izrael gjatë studimit, kështu që rezultatet gjithashtu japin një pasqyrë se sa mirë vepron vaksina kundër tij.

Më parë këtë javë, dy studime të Britanisë së Madhe sugjeruan efektivitet edhe pas një doze të vaksinës Pfizer dhe një tjetre nga AstraZeneca. Britania e Madhe po shtyn dozën e dytë për deri në 12 javë pas të parës në përpjekje për t’u dhënë më shumë njerëzve një farë mase mbrojtjeje.

/VOA/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
error: Content is protected !!