lajmeSport

Sport/ Skënderbeu mendon për të ardhmen

Veç afrimeve në merkato që do të përforcojnë ekipin për sezonin e ri te Skënderbeu kanë filluar të mendojnë edhe për të ardhmen. Nëse vetëm pak ditë më parë korçarët ishin në dilemën e largimit të kapitenit Jorgo Meksi, një prej lojtarëve më të rëndësishëm të sezoneve të fundit, duket se Ardjan Takaj ka vendosur veton për sa i përket lojtarit.


Nuk do të ketë asnjë zgjidhje kontrate me Meksin për sa kohë në klub nuk vjen një ofertë e rëndësishme financiare që mund të lirojë kapitenin nga kontrata me Skënderbeun. Të paktën ky është vendimi i drejtuesve të klubit, që e kanë cilësuar mbrojtësin e krahut të djathtë si të pashitshëm. Por, nuk është vetëm Meksi lojtari që ka përfunduar në listën e të preferuarve të Memellit dhe të presidentit Ardjan Takaj. Të njëjtin fat duket se e kanë pasur edhe dy ganezët, Alfred Mensah dhe Randi Dumfur. Të dy lojtarët në sezonin e kaluar kanë qenë pika referimi në repartet respektive, ndërsa për këtë duket se drejtuesit bardhekuq i kanë cilësuar si të pashitshëm.


Burime nga klubi bëjnë me dije se për të dy lojtarët në fjalë, qoftë për Mensah ashtu edhe për Randin janë gati kontratat e reja për rinovim edhe për dy sezone të tjera veç atij që kanë të parashikuar në kontratë. Të dy lojtarëve iu mbaron kontrata me Skënderbeun në qershor të vitit të ardhshëm, por Takaj nuk do të rrezikojë për t’i humbur me parametër zero, kështu që ka vendosur të nxitojë.


Pasi është konsultuar me drejtuesit e merkatos dhe Memelin në veçanti, presidenti ka vendosur të hartojë rinovimin për të dy futbollistët. Me të mbërritur në “Tropikal”, gjatë fillimit të javës së ardhshme, si Mensah ashtu edhe Randi do të kenë përpara kontratat e reja për një rinovim deri në 2024. Me këtë lëvizje duket se Skënderbeu nuk e humb filozofinë e krijuar që prej fillimit për menaxhimin e lojtarëve dhe krijimin e bazës së duhur për të ardhmen. E ardhme e cila duket se deri në shlyerjen e dënimit të vendosur nga UEFA do të mbështetet te promovimi i talenteve të reja dhe shitja e tyre me qëllime përfitimi financiar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
error: Content is protected !!